>
LETERSISHQIP
Rudina Çupi

Fëmija Im Ujor

Fëmija im ujor, krejt bardhor,
Lirinë tani ti përhap si syprinë tej-e-tej mes brigjeve-plazhegjera
shtrirë me shpinë, tek luan me lodrat e qiellit e anijet me vela,
i trazuar, i përhënur, i dettë.

Kur brigjet të të marrin, të të afrohen e të të afrohen si kërcënim
të të shtypin e të të hollojnë si lumë,
fëmija im i lëngët, mos u anko e as mos bubutij,
lotët do të të çkripëzojnë,
do të ndihesh ujë i ëmbël siç janë të gjithë lumenjtë
i rrjedhshëm nëpër një shteg
dhe, për ironi, mallin e anijeve të së shkuarës
do t’ia rrëfesh trungjeve që mbart mbi shpinë.

Mos mëso të mallkosh, biri im i ujshëm,
kur të mekesh si dëborë e të tretesh si avull mbi xham
apo tek kalon mes dy pllakave të tokës aq ngushtë
sa mes dy duarve të puthitura për lutje,
atëherë kujto se ke fatin t’i lësh…
ndaj lëri e lëri vazhdimisht
e udhëto për të zbuluar forma të reja të vetes nën shtypje
derisa të kuptosh forcën e qindrafishuar që ke brenda vetes
për të gdhendur shkëmbinj nëntokësorë
për ta gjetur rrugën tënde me thonj
derisa ta shpikësh një të çarë për të gjetur dritën
dhe të shpërthesh, i mahnitshëm, i epërm, ylberor, si një ujëvarë
duke mbretëruar me kurorën e mjegullës
si një mjellmë me aureolë.