>
LETERSISHQIP

Monna Roza

Monna Roza, trëndafil i zi, trëndafil i bardhë,
Lulet e këtij vendi të bardha si një shtrat,
Për zogun krahthyer keq s'të ka ardhë,
Që për hirin tënd është mbytur në gjak?...
Monna Roza, trëndafil i zi, trëndafil i bardhë.

Ulërijnë nën hënë çakejtë e ndyrë,
Dhe lepujt shikojnë përhumbshim malin,
Monna Roza, sot se ç'kam një dëshirë,
Dhe pikat e shiut në tokë vrapin ndalin.
Ulërijnë nën hënë çakejtë e ndyrë...

Zambakët, çelin në vendet më të ftohta,
Dhe ka në çdo lule të egër krenari,
Kjo era që pret mbas qiriut ndofta,
Fryn në shpirtin tim, pa dritë pus të zi.
Zambakët çelin në vendet më të ftohta..

Duart, këto duar dhe gishtat e tu,
mbledhur sikur shtrydhin një luleshegë,
Nga duart njihen gratë, po ashtu
Dhe sirenat në detin e thellë.
Duart, këto duar dhe gishtat e tu...

Koha kalon para nesh si rrufe Monna,
Ora dymbëdhjetë, dritat u fikën,
Fli, pëllumbat të vijnë në ëndrrat e vona,
Mos i vështro kaq gjatë yjet që ndritën.
Koha kalon me të shpejtë Monna...

Dhe mbas shirave zverdhen kallinjtë,
Atëherë frutat fillojnë të pjekurit,
Një ditë shih mirë në sytë e mi të zinj,
Që të marrësh vesh pse jetojnë të vdekurit.
Se mbas shirave zverdhen kallinjtë...

Monna Roza, trëndafil i zi, trëndafil i bardhë,
Lulet e këtij vendi bardhoshe si një shtrat,
Për zogun krahthyer keq s'të ka ardhë?
Që për hirin tënd është mbytur në gjak.
Monna Roza, trëndafil i zi, trëndafil i bardhë...

Stamboll, pranverë 1952.
Përkthim i pjesshëm nga: Alban Tartari

Më shumë nga Sezai Karakoç