>
LETERSISHQIP

Egoizmi Im Dhe Bota

Nuk kam krijuar agjë të bukur në botë,
veç, rrënuar kam, djegur, gjithandej…
Shkula lule lëndinave, i vdiqa në gotë,
në kafaz mbylla zogj, i lashë pa qiej…

Në grykë, grimca fjalësh, copa buke,
përzieva bashkë, sa më zunë frymën…
Gurë kilometrikë shkula në anë rruge,
brezat të ç’orientohen, t’humbin drejtimin…

Në botë nuk krijova asgjë të bukur,
unë artisti i shpëlarë, arkitekt i keq…
Egoizmi im, fluturoi si flutur,
pa menduar, se e brishta, në pak ditë vdes…

Shtrirë dheut, n’ligj të përjetshëm,
ushqim për krimba, do jem ca ditë…
Kurse bota, e bukura magjepse,
do rikrijojë pareshtur, bujarisht, magjitë…

Më shumë nga Tonin Nikolli