>
LETERSISHQIP

Pemё E Largёt

Pemë e largët mbetur pas,
ç´ndodh me ty në udhëkryq?
Heshtja trungun, vallë ta plas,
degët, t´i palos në dysh?

Lypësat, poshtë hijes tënde,
janë rikthyer nga shtegtimi?
Zogjtë sqepverdhë, vallë këngën,
nisin herët, sa vjen zgjimi?

Gjetheblertat, si gjithëherë
t´i drithëron mbi degë puhiza?
A n´damarë, linfa si vrer,
rrjedh, t´i rrudh fletët e brishta…

Pemë e largët mbetur pas,
ç´ndodh me ty tek kryqëzimi?
Heshtja trungun, vallë ta plas,
e ngadalë, të vdes trishtimi…?

Jo, poet! Nuk helmon linfa!
As puhiza nuk më than…
Unë, zogjtë edhe lypësat,
për njeriun, që s´është, qajmë…

Më shumë nga Tonin Nikolli