>
LETERSISHQIP
Vlora Ademi

Hata

kur shkelë
pragun e stinës ma t’hijshme
skutave të qytetit me kullë
dhe aty,
diku
në çarçaf bordellosh
zbulon shpirtin
e ringjallë Krishtin
shpërfillë
ndërgjegjen,
të nesërmen,
veten,
premtimin,
dhe turpnisht
lë gjurmë
afshi
e pabesie
n’besë
të katër mureve
kureshtar
për fatin e vizitorëve të etur
e të trupave pa moshë
që ndalin kohën,
errin dritën
e shpeshtojnë frymën
për një klithmë të fundit
n’harrim t’hapësirës jasht
lëshuar në krahët e mëkatit
vetëm për të shijuar
madhështinë e guximit
zbrazur djersët e aktit
mbi tespih e kryqe
dhe harrojnë
jo veç perenditë
por edhe emrat e tyre
pëshpërit vetëm fjalën: shpirt
mbi jastëk dashnorësh anonim
si të vetmit dëshmitarë
të tradhëtive
që falin dashuri çasti
në këmbim petalesh
të trëndafilave shumëngjyrësh