>
LETERSISHQIP
Ali Asllani

Do T'i Shtrydh Të Dy Sytë

Un' jam un', saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un' e nisa e stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash' hije, nëpër hije er' e shije
i dhash' shije poezie, gjith' fuqit' e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Po u bë ajo që s'bënej, si, pra, zemra do duroj',
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un'saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj' në gji të huaj?

Un' e nisa i stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa
buz' e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash' lotin, kryepajën time pajë
i dhash' lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj'
i dhash' vjershën time valë, dy herë valë tri her' zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr'
këng' e marr' e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t'i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!