>
LETERSISHQIP
Alketa Spahiu

Kur Dritat Ndizen Në Prishtinë

Kur dritat ndizen në Prishtinë
në mua dritësojnë uratat e mallit
o zot,
rrite inflacionin e ndjenjave të grave me fshesë,
ndale hovin e produkteve “made in China”
flaka të mos qëndroj stoike ndaj lajkave të Eratës.

Kur dritat ndizen në Prishtinë,
dhe bora shtresohet si mielli i të vobektëve,
vetëm fëmijët mbajnë syze me ngyrë hareje,
por unë fëmijë më nuk jam,
dritat dhe bora
krijojnë një Esperanto ngjyrë gri
fshehin mykun e bagazheve
në kartolinat e padërguara.

Si u harruam, o zoti im,
mes heshtjeve mondane kërkova përdëllimin,
me qirinjë elektrikë high-tech bëra lutjet e mia,
në çdo ndërrim të motmoteve kërkova falje
për dëshirat e vonuara
dhe me vetminë piva një teke raki.

Kur dritat ndizen në Prishtinë,
vizitoj tregjet e Krishtlindjeve në imagjinatën time
seria e syzeve me ngjyrë hareje
është shitur mes stinëve,
e kthej një teke raki
me vetminë time.