>
LETERSISHQIP

Segmente Të Verdhë

Koha me dhëmbët e saj të zverdhur kafshonte
kafshonte e kapërdinte çastet tona e babëzitur
dhe mishrat tanë mbaronin, ndërsa ajo vazhdonte
Ushqehej me kockat e dashurisë sonë të uritur.

...Kështu, s'ishte për ne e shkruar, të kishim kohë
Ngadalë asaj i thinjeshin flokët, i rrudhej lëkura
Nuk pati për ne kohë, e kohë(mallkuar!) nuk qe kjo!
Për dashuri të dhëmbshur shpirtrash të kafshuara!

Ajo i kishte ngulur këmbët mbi ne, e segmenti shkurtohej
mbaronte rruga dhe jeta, ...edhe brenga, përfundimisht
bëhej me ne shoqe, bëhej shok dhe zemra shtrëngohej
zvogëlohej hapësira e fryma pritej hijesh mizorisht!

Hije njerëzish që dukeshin sikur vërtiteshin pa qëllim
rrugëve të heshtura, një hije është shpirti im, atje
Atje ku për të fundit herë koha, e mallkoi fatin tim
Ah, kjo e mallkuar, më la një kafshatë kohë, prej teje!

Nuk e di tani, në jam unë që ngeca në dhëmbët e saj
Apo mos hijes tënde i erdhi fundi segmentalisht
Më jep pak kohë, vetëm pak kohë, për pastaj
që unë të mund të kujtohem, më saktësisht!

Më shumë nga Ana Mihail