>
LETERSISHQIP
Arben Dreshaj

Mirë Se U Ktheve Pavarësi!

17 Shkurt 2008
Ditë e diel,
e bekuar, e bardhë
Historike për shqiptarë

Në mes të valleve e lotëve
Emocioneve që shkundin bjeshkë
U ktheve në shtëpi 
I shenjti emër Pavarësi!

Na thanë po...
Nuk u pajtuam të jetojmë pa ty

Në këtë dhé ku dikur ishim veç ne,
dhe një Zot lart mbi re,  
Luginë me luginë, det me det,
bjeshkë me bjeshkë, tokë me qiell 

Me shekuj ofruam ujë, bukë
kripë e zemër, për hallexhi 
Të pastrehët i bëmë me shtëpi,
sllavët këtu gjetën liri

Mikpritja i trimëroi ardhacakët!
Na vrau buka që e dhamë!
Një ditë na thanë
ky vend i tyre paska qenë!
 

Me pendë, armë, djersë e gjak
Luftuam për ty ditë e natë
Nuk pat forcë që na preu,  
nuk pat burg që na theu

Për fitoren tonë,  
sakrificat nuk patën kufinj
Luftuam brezni më brezni,
me dashuri për Pavarësi! 

Mirë se u ktheve në Dardani
Në Kosovën Kuq e Zi
këtu ku kufij me kufij, jemi në mes
të tokës stërgjyshore, Iliri 

Gëzuar për jetë e mot 
Për këtë trung, për këtë tokë 
Për këtë parajsë që ka varësi
Veç prej teje Pavarësi!