>
LETERSISHQIP
Benjamin Krasniqi

Në Shtrate Të Ndryshme

Ndonëse në këtë natën të ftohtë, fund dhjetori
Jemi larg e në shtrate të ndryshme
Dhe në heshtje lutemi e vuajmë
Kjo nuk do të thotë, se jemi armiqë.
Të dyve na mungon nga një pjesë jete,
Që e ndamë dikur mes vete.
Ndonëse më asgjë nuk na bashkon
Janë e kaluara dhe kujtimet,
Ato që na lidhin përjetësisht.
Nga gjithçka mund të ikësh, përveç kujtimeve
Janë e kaluara jonë, vetë i krijuam
Tani me to duhet jetuar, edhe nëse na lëndojnë shumë
Edhe nëse na hapin plagët e vjetra
Janë pjesë e trupit dhe ndienjave tona
Ndonëse kanë mbetur vetëm histori.
Lufta me kujtimet tua, është sikur të luftosh me erën
Ose të mundohesh ta përqafosh hënën
Gjurmët e kujtimeve mbeten,
Si shenjatë e plagëve pas ndonjë përplasjeje.
Ti në shtratin tënd e unë në timin
Vërtetë jemi disa mile larg,
Disa lagje në mes nesh janë,
Mirëpo kujtimet janë urëlidhësja jonë
Nata është shumë e gjatë, në vetmin e vuajtjeve
Kujtimet dhe yjet na shoqërojnë
Vetëm zemrat tona dhe Zoti e di
Njëri-tjetrit sa i mungojmë.
Ndoshta lotojmë e kemi edhe dhembje
Por janë të ëmbëla dhe me kuptim
Lotët tregojnë se ende dashuria ekziston
Në dy zemra të ndara që disa kohë
Ndërsa dhembja tregon se ende njëri-tjetrit i mungojmë
Sa na mungon një përqafim tani
Sa kuptim do kishte dhe sa do na shuante dhembjet
Një përqafim përmallimi dhe ngushllimi
Për një dashuri pa fat.
Do jetojmë të ndarë dhe me dhembje
Ti në një shtrat e unë në një shtrat
Edhe pse do vuajmë përjetësisht
Dhe dhembje do kemi pafundësisht
24. XII .2013