>
LETERSISHQIP
Besim Xhelili

Uratë

Desha dorën të të shtrëngoja
Në ata sy t'bukur të fundosem,
Por, m'thuaj shpirt nga t'filloja
T'vajtoj fatin a të mllefosem?!

Mendja m'iku e seç u zemërova
Po dora jote sa e ngrirë ishte
Oh, ato buzë pak i dëshirova
Po tani mbi to veç akull kishte.

Rrëzuar më lanë duart e tua
Me dogma e mite mbi shpinë
Po unë gjithnjë do të të dua
S'kam kujt t'ia fal dashurinë.

Mbushur lot sytë e tu dje ishin
Por sot uroj të jesh e gëzuar
Ikin vitet e gjërat sikur s'ishin
Zemrat tona n'zjarr shkrumbuar.

Po eja këtë ditë të festojmë
Me duart n'flakë kryqëzuar
Stinën e marsit ta shijojmë
Natës yjet duke ia shuar.

Gjërat e rralla një herë vijnë
Kalojnë dhe veç plagë mbesin
Mbi gjuhë jetën na shkrijnë
Këngë të tilla që kurrë s'vdesin.

Po dje u ndjeva i gjallë, se jetoj
Ti je një melodi që sjell gëzime
Dhe ca lule zgjodha të t'i dhuroj
Si një uratë për fat e lumturime.