>
LETERSISHQIP
Blerina Gaxha

Pijaneci

Në rrugët e këtij qyteti rrnonte dikur një pijanec. ali quhej. kishte merak femnave me ua prekë sisët e bythët – hej o zot, sa femna n’rrugët e mia i ke çue! hej o zot, falna o zot, se femnat kanë ra si shi i pjerrët, e të tanave ju due, krejt, si një egërsinë. ju due n’mënyrë mishngranëse e perverse. hej o zot, falna o zot, n’kambtë e tyne due me vdekë!

aliu i këndontë dashunisë.

kundërmonte raki rrushi, raki ftoi, raki dardhe e turlifarë rakish. gjoksin kish me lesh e një pallto lëkure mbante gjithë kohës. më pat thanë se dikur ish çmendë pas nji grueje, e ajo e la për dikë tjetër. e se dikur ky burrë kundërmues kish pas qenë i pashëm. nganjiherë uleshim skaj rruge, për nji gotë raki e ca llafe.

aliu i këndonte dashunisë – një gotë raki për një dashuni….

kur mbaroi lufta prapë e pash aty, kurgja s’e kish gjetë. njiherë më tha se e kish kalue kufinin, e nji tjetërherë m’tha se ish strehue në mahallën e romëve. por thosh shpesh se policia e ushtria përtonin me e vra një pijanec të zakonshëm.

ali quhej. dashnia e kish luajt mendsh, por aliut i pëlqente me i këndu dashunisë. një gotë raki për nji dashuni…! hej o zot, falna o zot, se femnat kanë ra si shi i pjerrët, e të tanave ju due si një egërsinë.

nganjiherë uleshim skaj rruge për nji gotë raki e ca llafe. femnat thosh të vrasin në mënyrën ma banale, po unë i due si një egërsinë, i nuhas gjithkah. hej o zot, falju krejt gjynahet!

një ditë m’tha se kish zanë një të dashun të re. zot i madh -hej o perëndi, shumoji femnat përmbi tokë!!

dikur ika e nuk e pashë……

aliu nuk i këndonte ma dashunisë. aliu nuk i këndonte ma rakisë…

kam pyet njerëzinë cilën tokë i dha deka, ku ia shtrin eshnat, por jo askush nuk i bën homazh mbi varr. dikush tha se zemra i pushoi mbi trupin e të dashunës së re.

aliu nuk i këndonte ma dashunisë, as rakisë. e si duket ia bënë hallall prekjen e bythëve e siseve në qytetin që s’ka me pas ma një ali të dytë