>
LETERSISHQIP
Blerina Gaxha

Stacioni Në Lindje

turma dalin, turma hyjnë stacionit të metrosë në lindje
një ndalesë në stephansplatz, një ndalesë në museum quartier, një ndalesë diku përtej
gjurmë të trupit e t’shpirtit humbin pas procedurave të hyrjeve e daljeve
mes njerëzve të pagjurmë jam dhe unë
në asnjërin prej tyne asnjeri nuk asht tue m’pritë
lëviz nga njëri te tjetri stacion ulur n’trenin tim
secili trup mbërrin diku, megjithatë. edhe i imi
n’rrugët e sheshet pranë njerëzve
asnjeri nuk m’pret askund, po unë jam
në stacionin tjetër vdes një pjesë e saj
në tjetrin edhe një copëz shuhet
pastaj, të gjithë stacionet të njëjtë janë
nga ora n’orë muj me qenë në çdo kohë
lëvizë poshtë e lart, asnjeri, askush, as unë
nuk kërkoj tjetër tokë në asnjë ditë, në asnjë orë
rrugët, fytyrat, të njëjta gjithnjë
asnjërit nuk i takon asnjëra
në stacionin tjetër vdes edhe një pjesë
pastaj të gjithë ata krijohen ndryshueshmërisht
fytyrat, trupat, rrobat e lëvizjet ndërrojnë
udhëtarët ekzistojnë e rrugët përpara meje – i ndiej, i shoh

zonjë, duhet të zbrisni, ndalesa e fundit!
ulem bregut të lumit
danubi ruan heshtjen e magjinë
mua s’më flet. edhe ai ikë larg me nguti
ec përskaj, dhe ja, një tjetër stacion metroje
larg lindjes sime
një tjetër ulet, një tjetër zbret, një tjetër ikën
në çdonjërin stacion një pjesë humbet
nuk luaj vendit
asnjeri nuk është tue m’pritë
lindja asht larg
mundohem me e mbërri
por prapë ai za
zonjë, duhet të zbrisni, ndalesa e fundit!