>
LETERSISHQIP
Bujar Salihu

Lule Mbi Oqean

Tim Atë në ditën e ikjes
Sonte më është hedhur një oqean akullnajash
Shpirti më është shprishur si pupla qyqesh
Qiellit tim fluturojnë veç vegime të ndezura
Tek të lashë brenda asaj gremine të mbuluar terr

Para ardhjes sime në bebëzat e tua të rënduar
Pashë atë urë që shembej mbi të cilën s’kaloje dot
Si s’më mësove të lundroj mbi atë oqean të trazuar
Kristal i bardhë fluturimi yt drejt majave plot shi

Mendova se do të ktheheshe si dritë pas natës me stuhi
Mëngjeseve zgjohesha herët për të pritur ardhjen tënde
Duket s’i paskam mësuar drejt shumë ligje të fizikës optike
Prandaj edhe s’e kuptoja pse ti nuk ktheheshe me dritën

Shumë ditë shkuan e ti nuk dole nga katakombet
Emrit tënd i qenkan hedhur shkëndija kurorash përflakur
Tek lundron me anije të kajtisur atij shtegu plot dallgë
Më le veç vrushkuj të shkumbëzuar që shpërthyen me magmë