>
LETERSISHQIP
Burhan Skikuli

Lulebora

Bora shkrihet, prockat rrjedhin lumë,
Toka e shkrifët, avulli ngjitet lartë,
Natyra ndryshon, dita zgjatet shumë,
Lulebora e para me petkun e bardhë.

Pranë saj edhe vjollcat e njoma,
Gëzojnë sëbashku me beharin e thanës,
Bari i brishtë pranë luleborës gjelbëron,
Zogjtë si në kor, të lumtur ia thonë këngës.

Ndryshon natyra, gëzohen të gjithë,
Insektet nga vrimat jashtë kanë dalë,
Vallen e pranverës me ëndje e kanë nisë,
Ngrohen në diellin që i pëkëdhel ngadalë.

Kësaj bukurie dhe luleve me ngjyrë,
I gëzohen fëmijët për ditën e verës,
Kur dalin sëbashku të mblidhen në natyrë,
Luleborë, vjollca, kukurek, degë të thanës.

Me to do zbukurojnë dyert e shtëpisë,
Me lulet e vezët do lajnë fytyrën,
Shëndet do të kërkojnë në ditët që do vijnë,
Lulebora dhe vjollcat do t'ju plotësojnë dëshirën.