>
LETERSISHQIP
Eleana Zhako

Genesis

Kur të linda pandeha se të kisha lindur më parë,
ose që të lindja vazhdimisht,
që të mbarsja në gjithë jetët e shkuara,
në qumështin mëkues të nënës sime ishe ti,
në shtratin metalik të një mëme tjetër,
asaj që e thërrisnim Nënëmadhe, ishe ti;
kur përpiqesha të ngrohja shputat e ftohta
përmes këmbëve të saj të kokallta,
kur shikoja flluskat, që frymëmarrja e saj e rëndë vizatonte në gjumë, ishe ti;
kur gjyshja ndëshkuese më lidhte me litar pas një peme të oborrit,
dhe përjetoja me kënaqësi të fshehtë gjithçka, që gjallonte rreth meje, ishe ti;
kukullat që zhvishte ime motër,
bëmat e saj fëmijërore,
përroi i parë kuqalosh,
lajmëtar i kalimit nga vajzë në zonjushë, ishe ti.
Në ditëlindjet e mia,
rrotulloje akrepat e mi të brendshëm,
duke qeshur tinëzisht,
kur përpiqesha t’i shkurdisja.
Çdokush ka kohën e tij,
të thoja me një ton sfidues,
por ti, xhelatja ime e vogël,
mbështilleshe si gjethnajë e dendur,
rreth kërthizës sime mishtore.
Tani je koha ime – pëshpërite.