>
LETERSISHQIP
Eleana Zhako

Lamtumirë Pranverore

Maria ndërroi jetë.
Dua të besoj, që e shtynte çdo javë vdekjen e saj,
me zotimin se do të shkoja ta shihja, në pallatin tonë të vjetër,
në të njëjtin kat që ndanim për shtatë vite radhazi, së bashku.

Maria ndërroi jetë fillim marsi.
Nuk arriti të shihte pranverën belge,
degët e çelura të pemëve,
diellin pranveror,
lulevjollcat mbi bar.

Vdiq, dhe ambazhuri në kat të pestë nuk ndriçonte më,
mbrëmjeve kur kaloja dhe shihja nga dritarja e saj.
Ndoshta mungon, mendoja,
dhe gjithnjë shtyja dëshirën për ta parë,
për ditën tjetër, javën tjetër, muajin tjetër…