>
LETERSISHQIP
Erjola Kola

Unë Jam Dritë...

Sa shumë fjalë për t'u shkruar.
Sa shumë kohë paskam heshtur.
Gjithmonë ka një fillim për të nisur një histori.
E imja nisi tani, pas një heshtje të gjatë e me një dëshirë të madhe të mposhtë heshtjen dhe mendimet negative që më marrin frymën.
Nuk i trembem heshtjes më shumë sesa fjalës sime.
Fjalës së menduar.
Asaj që flet thellë-thellë nga shpirti dhe më merr shpirtin me dridhjen e frikës që më fut.
Arsye s'kam.
As nuk e gjej një arsye.
E megjithatë nëse flas, flas me fjalë të rënda.
Fjalë që rëndojnë në shpirt, e prishin ekuilibrat.
Sa frikë. Apo sa çudi.
Në sfond dëgjohen tingujt e ëmbël e qetësues të një video meditimi.
Unë vazhdoj të shkruaj.
Pas çdo gërme ndjej qetësinë që shpërndahet në qelizat e mia.
Pas çdo fjale ndjej lehtësim.
U shkruajt një paragraf.
Një peshë e rëndë u shkri në supet e mia.
Dhe unë mund të marrë frymë sërisht.
Të marrë frymë në paqe lirisht.
Vazhdoj të dëgjoj pa reshtur.
Në mendje qarkullojnë të tjera mendime.
Shikoj të tjera ngjarje që heqin vellon që i kishte mbuluar dhe fillojnë të bëhen të dukshme.
Janë mendime të qarta, të pastra, të forta.
Janë ndjenja të qeta, në paqe, të sigurta.
Jam unë në to.
E vërteta unë.
Ajo që nuk fshihet pas perdeve.
Ajo që nuk i trembet shiut.
Ajo që sheh diellin ngado.
Ajo jam unë.
Pa vello.
Pa mjegull.
Pa errësirë.
Pa frikë.
A e kuptove?
Pas vellos, pas perdes, pas frikës atje gjendem unë... e vërteta unë.
Më kërko.
Ma zgjat dorën.
Jam duke ecur në tunelin e errësirës.
Duke ecur e çjerrë në shkurret e frikës.
E lodhur, por e vendosur.
E shoh atje në fund të tunelit dritën.
E shoh dhe fjalët kanë ndryshuar.
I ndjej më të forta.
I ndjej më pozitive.
E sheh unë ia dola.
Dola në dritë.
E mposhta errësirën e u mbusha me dritë.
Tani nuk kam më frikë.
Unë jam dritë.