>
LETERSISHQIP
Fanoda

Shpresa E Humbur Në Reçak...

Shpresa E Gjetur Diku Larg Pas Njëzetë Vjetësh
Edhepse nuk është sezona e pushimeve të mërgimtarëve tanë, ata vijnë e
shkojnë, por jo në fluks aq të madh sikurse ne kohën e pushimeve. Jo vetëm
mërgimtarët, por edhe familjarë të tyre mund të shkojnë nëpër vendet e
botës ku punjnë dhe jetojnë të afërmit e tyre. Mirëpo, për të udhëtuar në
shtetet tjera, kosovarëve u duhet koxha punë për të rregulluar dokumentat
e duhura që t’u lëshohet vizë (leje) udhëtimi për në ato vende.

Kështu, edhe Liridona, e që shkurt e thërrasin “Dona” së bashku me nenën
e saj zonjën Dritë kishin kaluar ato procedura derisa kishin marrë vizën për
një vizitë në Gjermani, për të cilat kishte garantuar motra e Dritës. Kjo ishte
hera e parë që Dona dhe zonja Dritë kishin udhëtuar jashtë Kosovës dhe
kishin vendosur që udhëtimin ta bëjnë me autobus. Kështu kishin shkuar dhe
pas tri javë qëndrimi atje, përsëri kthehen me autobus me të njëjtën linjë
Prishtinë-Minhen-Prishtinë.

Deri në stacionin e autobusave në Minhen i kishte shoqëruar mysafiret
tezja e Donës me burrin e saj, të cilët vetëm i kishin lënë aty dhe ishin kthyer
për të arritur në kohë në vendet e tyre të punës. Akoma dita nuk ka
zbardhur, ndërsa në atë stacion aq të madh është aq ndriçueshëm saqë nuk
vërehet se është ditë apo natë. Aq hapsirë e madhe sa ke frikë se mos
humbasish. Ka edhe dy orë që të vijë koha e autobusit, ndërsa holli i madh i
pritjes dukej edhe më i madh pa njerëz dhe me shumë drita që dyfishoheshin
nga reflektimi i tyre në pllakat e dyshemesë që shkëlqenin nga pastërtia si
pasqyrë.

Në atë holl disa metra më larg në ulëset e pritjeve përballë Donës
dhe Dritës kishte ardhur një çift i ri rreth tridhjetë vjeç me një fëmijë 3-4 vjeç dhe kushedi se sa kohë kishin ardhur para Donës dhe nënës së saj për të pritur.

–Athua, për ku paskan për të udhëtuar dhe pse nuk udhëtojnë me aeroplan
këta që paskan edhe fëmijë të vogël?!, ndërsa fëmija kërcente nëpër pllakat
duke u munduar të shkeltë nëpër dritat mbi dysheme qe dukeshin si topa
dhe nga kërcimi si një lepur i dridheshin flokët e gjatë, të verdhë e të dredhur si spirale. Herë shkonte pranë prindërve të tij të ulur në stol duke i pyetur për gjërat që e rrethonin, e herë I afrohej Donës sikur kërkonte që edhe ajo të futej në lojë.

Prindërit e shiqonin me dashuri dhe flisnin mes vetë në gjermanisht dhe
si shumë shpesh ai burri e shiqonte orën dhe i dukej se nuk po ikën koha
fare. Një burrë i ri rreth të tridhjetave, me flokë të zezë që vetëm pak i shiheshin tek balli, sepse mbante një kapele, ndërsa gruaja një bjonde me flokë të gjatë e të kapur si bisht dhe pa fije grimi.

Meqë ishte kohë e gjatë që kishin pritur dhe u duhej të prisnin edhe më
gjatë, edhe Dona fillio të mërzitej dhe i vinte për të lozur me atë fëmijën e
bardhë e të bukur, që vetëm zëri i tij dëgjohej dhe jehonte në holl që i dukej
Donës se po i bënte lutje që të luaj me të.
- Nënë, po shkoj të loz pak me atë fëmijën, se nuk po mund të qëndroj më
ulur, më janë mpirë këmbët. Edhe ai fëmija po më kërkon në lojë, po shkoj
t’i bëj shoqëri – duke marrë leje nga e ëma Dona u nis kah mesi i hollit.
- Sa flokë të bukur paske! Si të quajnë, zemër?- filloi bisedën Dona me
fëmijën sa për të hyrë në bisedë dhe në bazë të emrit të kuptojë se ishte vajzë
apo djalë.
-Doni, Liridoni- përgjigjet fëmija duke u rrotulluar rreth vetes dhe rreth
vajzës mu sikur planeti Tokë rreth vetes dhe rreth Diellit -Ua, edhe unë quhem Dona-Liridona, paskemi emrat e njëjtë, çake dorën!-
I zgjati ajo shuplakën e dorës për t’ia çakur edhe Doni i vogël, ndërsa holli
jehoi me të çakmet e tyre të shuplakave të tyre. Kështu, të dy u bënë shokë
të rinjë e që ajo shoqëri të zgjasë së paku derisa të hipin në autobus e të
ndahen.
Në njërën anë prindërit e Donit e shikonin djalin e tyre edhe më të
gëzuar që gjeti shoqëri për të lozur, e në anën tjetër zonja Dritë e shikonte
Donën me dashuri dhe me shumë dhembje që kishte mbetur vetëm ajo në
familje.
Djali u afrohej përsëri nganjëherë tek prindërit e tij, e kësaj herë për të
treguar se edhe ishte edhe më i hareshëm që kishte gjetur shoqëri për të
lozur. Edhe Dona dëshironte të hynte në bisedë me prindërit e djalit të vogël,
sepse vërtetë djali nuk i përkiste moshës së saj për shoqëri, por gjithsesi ajo
hezitonte t’u zfrohej, derisa shfrytëzoi rastin kur djali ishte pranë prindërve
dhe ajo shkoi për t’a ftuar atë që të vazhdojnë lojën.
–Eja Doni, të luajmë!- e thirri ajo duke e tërhequr më shumë që ti afrohet
zonjës Dritë, e që edhe ajo të kalojë disa minuta me të duke e përkëdhelur.
-E sheh, nënë sa fëmijë i bukur, a të përngjanë në atë fotografinë e Dritonit
kur ishte i vogël?- e pyeti Dona të ëmën edhepse e dinte se do të mërzitej kur
ajo e përmendte.
-Oh moj bijë, fëmijë më të bukur se Dritoni im nuk ka pasur dhe nuk kam
parë akoma. I humbtë fara shkjaut që ma mori nga dora dhe ma vrau në sytë
e mij, e nuk munda t’ia gjej as eshtrat!- ofshani Drita thellë, por nuk qau,
ndoshta nuk kishte më lotë, ngase i ishin shtjerrë që njëzetë vjet duke qarë
për djalin e vetëm që kishte pasur.
- Dona duke mos dashur të shohë nënën që mërzitej, u largua në drejtim të
Donit të vogël, i cili ishte afruar tashmë tek prindërit e tij dhe ajo shfrytëzoi rastin që të lidhet në bisedë me prindërit e djalit, sepse e mundonte
kurreshtja se kush ishin dhe kah shkonin.
- Mendova se është vajzë ky fëmija juaj, mashallah sa i bukur! është shumë
lozonjar. Ta keni me shëndet! –uroi Dona për Donin shokun e saj të vogël.
- Edhe unë quhem Dona. Liridona, por shkurt më thërrasin Dona- u lirua
ajo në bisedë.
-Po, u përgjigj babai i Donit, e ka emrin e hallës së vetë, të motrës sime.
-Pse të motrës sate?!-pyeti Dona me habi pa menduar se sipas traditës sonë
të shumtën e rasteve familjarët trashëgojnë emrat e të afërme të tyre të
vdekur.
- Gjatë luftës në Kosovë ma kanë vrarë motrën dhe për kujtimin e saj e kam
pagëzuar djalin me këtë emër, edhepse e kujtoj edhe po të mos e kishte
emrin e saj. – U përgjigj burri duke iu ndalë fjala në fyt.
- Të gjithë ne kemi parë tmerre të ndryshme gjatë luftës, nuk je i vetëm, jeta
duhet jetuar nga ata që kanë mbijetuar.-ngushëlloi Dona pa dashur të rrëfejë
përjetimet e saja në luftë.
- Po, ama unë nuk po mund të qetësohem, ngase e kam parë me sy të mij kur
nënën dhe motrën time që atëherë ishte vetëm dy vjet më e madhe se unë,
ka qenë vetëm dhjetë vjeçe, e patën marrë shkiet me shumë gra e vajza të
tjera. Paramilitarët serb na patën mbledhur meshkujt e fshatit i madh e i
vogël dhe na patën rreshtuar në afërsi të një zabeli të fshatit, ku na kanë
pushkatuar në sytë e nënave, motrave, nuseve tona të cilat i kishin ngarkuar
në një kamion serb dhe para se të na pushkatojnë na thanë se këto femra do
të jenë shërbyeset tona dhe në fund do ti vrasim. Kushedi i kanë vrarë të
gjitha, apo i kanë dërguar diku në Serbi. Edhe nëna ime dhe motra ime kanë
qenë në atë kamion që pas rafaleve të kallashnikovëve, pasi na vranë tgjithëve, kanë marrë edhe ato, e që sigurisht i kanë vrarë. Unë isha në mesin
e të vrarëve, mirëpo kisha rënë vetëm i plagosur mbi trupat e burrave të
fshatit, e që në atë grup ishte edhe babai edhe axha im. As unë nuk e di se sa
kam qendruar pa vetëdije i plagosur në atë turmë. Thonë që ushtarët e
“UÇK” –së më kishin marrë të plagosur në atë turmë, ku të vdekurit I kishin
varrosur, ndërsa mua më kishin dërguar në një spital të improvizuar, ku pas
pask ditësh permes UNHCR-it më kishin depërtuar në Shqipëri, e pastaj këtu
në Gjermani për shërim, e që edhe kam ngelur akoma. Donës nuk i pëlqente
aspak ky rrëfim rrënqethës të cilin e kishte përjetuar edhe vetë dhe duke e
bërë që të përfundojë kjo temë ajo iu përgjigj:
-Të gjithë ne në Kosovë kemi pasur raste të ngjajshme, ka qenë luftëedhe unë kam humbur familjarë.- I përgjigjet ajo duke mos dashur të
vazhdojë kjo bisedë mirëpo ai duke mos ndërruar bisedën, vazhdon të
tregojë se si kishte mbijetuar.
-Por ama, mua nuk me ka mbetur askush në familje, ti bile paske nënën.
Unë as nënë as baba. As motër, as vëlla. Me orë të tëra kisha qëndruar në
trupin e babit tim të vrarë dhe nuk e gjeta më as varrin e tij. Shtëpinë e gjeta
shkrumb e hi dhe pasi kam marrë pak veten disa ushtarë më kanë bashkuar
me një familje dhe bashkë me ta dola refugjat në Shqipëri:-vazhdonte
rrëfimin ai duke dashur që vajza ta dëgjojë, ndërsa Doni i vogël kishte kapur
vajzën për dore dhe e tërhiqte për të lozur. Në anën tjetër nëna e Donit i
fliste djalit të vogël gjermanisht, por e kuptonte se i thoshte ta lërë për të
dëgjuar historinë e shoqit të saj.
-Kjo është nusja jote, apo jo?-pyeti Dona për të ndërruar bisedën - Është
gjermane apo shqiptare? –vazhdoi ajo.
-Jo nuk është shqiptare, është gjermane, e familjes së mire. - dhe prap doli
te tema e luftës- Kur erdha këtu si refugjat dhe u shtriva në spital, nëna e saj infermiere u kujdes për mua si të ishte nëna ime, andaj u lidha fort me këtë
familje. Po ju zonjushë, jetoni në Gjermani apo keni ardhur si musafirë?
-Jo jetojmë në Kosovë kemi qenë te tezja ime nëna ka vetëm një motër që
jeton në Gjermani, vetëm ajo i ka shpëtuar, ndërsa në Kosovë më ka vetëm
mua.
-Po ty si të quajnë?-pyeti Dona për të mos vazhduar storjet e luftës.
-Driton, Driton Kosova më quajnë shokët.- u përgjigj ai ndërsa Dona u
largua menjëherë nga ai me një ndryshim në fytyrë për të mos i dhënë atij
rast për të vazhdojë bisedën më tutje. U largua me preteks se djali i vogël e
tërhiqte për dore për të luajtur nëpër holl. Dona e shfrytëzoi këtë tërheqje
taktike dhe me djalin për dore iu afrua nënës.
-Nënë a je lodhur, a po mundesh të qëndrosh ulur?-kështu herë afrohej tek
nëna e her tek prindërit e djalit të vogël, duke u munduar se çka ta pyes atë
burrë, që menjëher po lidhte bisedën me luftën.
-Si nuk e pyeta bile nga cili vend ishte se?!-pyet veten Dona, ndërsa në lojë
e sipër përsëri i afrohej bashkëbiseduesit.
- Nga cili vend i Kosovës keni ardhur këtu në Gjermani? – e pyeti ajo
-Nga fshati Reçak, komuna e Shtimës. Ndoshta keni dëgjuar për masakrën
e Reçakut- përgjigjet Dritoni dhe pa shprehur dëshirën të zgjasë më shumë
bisedën sikurse para pak çastesh.
Dritoni nga Reçaku, fliste me vete Dona dhe nuk u besonte veshëve të saj
se ç’po dëgjonte. Filloi t’i errësoheh holli i stacionit dhe këmbët filluan t’i
ligshtohen, saqë vendosi që të ulet sa më afër që sa nuk e kishin lëshuar
këmbët fare dhe iu desh të ulet mu pranë Dritonit dhe priste veten për t u
qetësuar pak sa për të mundur të pyes atë edhe më hollësisht, ngase një
shkëndijë si vetëtima i shkrepi mu në zemër dhe priti një çast veten derisa të qëtësohet pak duke e lutur veten që të mos e bëjë ndonjë veprim të
pakontrolluar apo të gabuar dhe ashtu qëndroi duke mos dëgjuar as shikuar
nëse dikush i kishte folur ndonjë fjalë. Pasi mori frymë thellë edhe njëherë
duke e shiquar drejt në sy Dritonin dhe më afër se para atyre çasteve që
bisedonte si vjedhurazi nga larg, me një zë sikur urdhërues iu drejtua
-O zotëri, o Driton çfarë mbiemri ke dhe nga cila familje je?-I drejtohet
atij pa i treguar se edhe ajo ishte nga njëjti fshat dhe pa treguar se çfarë
sillej nëpër tru.
-Oj zonjushë, Driton Rexha, Rexha e kam mbiemrin, por shokët më
thërrasin Driton Kosova, edhepse nuk e kam shkelur Kosovën që njëzetë
vjet.- Po çfarë janë gjithë këto pyetje me këtë ton dhe me ato gjeste
duarsh-pyeste veten ai nga mënyra e quditshme e pyetjes së Donës.
Tani Donës duhej edhe më shumë forcë dhe durim që të qetësohej dhe nuk
i besonte më vetvetës as në atë që kish dëgjuar dhe as në emocionet e saj.
Zemra potuajse donte t’i dilte nga gjoksi, por akoma nuk ishte e gatshme
t’ia thoshte as Dritonit atë që e mendonte, e as nënës së saj që herë –herë
kotej ulur në stol.
Kështu Dona zgjodhi që të ecte e të sorollatëj nëpër holl duke bërë hapa të
pakontrolluar dhe pa e vërejtur as djalin e vogël që i shkonte pas duke e
prekur në këmbë duke menduar se ajo ishte loja që Dona dëshironte të luaj
me të.
Herë- herë provonte t’i afrohej nënës së saj duke menduar se si t’ia thotë
atë që kishte dëgjuar. Nganjëherë i kthente shpinën nënës dhe tinëzisht i
fshinte lotët që padashje i dilnin dhe kishte frikë se mos e shihte ndonjëri
duke e lutur veten që të qetësohej.
Kur u bind se nuk mund të qetësohej, filloi të frikësohet se mos po bëhet
edhe më e rëndë situata e ndjenjave të saja, andaj i përmblodhi forcat dhe duke fshehur ndjenjat e saj, me djalin e vogël përdore duke bërë pak më
shumë zhurmë që t’ia tërhiqte vëmendjen nësës që ishte kotur disa minuta,
ajo iu afrua asaj, i hodhi dorën mbi supe dhe kur pa se ishin plotësuar
kushtet për të hyrë në temën që e brente, iu drejtua:
-Nënë, po të ishte gjallë Dritoni, a do të ishte bërë burrë si ky burri këtu,
babai i këtij djalit?
-Oh mij bijë, nëna nuk e pati fatin ta rrisë e ta martojë dritën e syrit,
ndoshta do të ishte bërë si ky, nuk e di e kam pak larg dhe nuk po e shoh
mirë.-u përgjigj ajo pas një ofshame të thellë.
-Po hajde nëno, çohu pas e ec se edhe ashtu je mpirë duke mos luajtur
vendit, afrohemi tek ai çifti, bisedojmë pak me të djalin, se edhe ai ishte i
shkretë, na kalon më shpejtëe koha e pritjes se kemi gati edhe një orë për
autobusin.-e mori nënën për krahu duke i ndihmuar të ecte ngase kishte
qëndruar ulur gjatë kohë dhe duke mos i dhënë rast që të refuzohë afrimin
tek ta.
-Po bre bijë, jam shtangur vërtetë, por tash edhe pak fillojnë të vijnë edhe
tjerë udhëtarë për të pritur, por po eci pak.
Kështu nënë e bijë i afroheshin çiftit duke mbajtur Dona me njërin krah
nënën, ndërsa në krahun tjetër me dorën e vockël mundohej ta ndihmonte
djali i vogël, të cilin nuk e kishte vërejtur Dona fare, mirëpo tek kur ishin
afruar pranë çiftit kishte vërejtur se Dritoni e uronte atë për mirësjelljen e
tij ndaj zonjës.
-Si jeni biro, ajeni mirë,-pyeti Drita sa për fillim.
-Mirë tete, mirë. Urdhëro ulu bëri me dorë duke i lëshuar vendin. – a u
lodhe duke pritur? Si kaluat këtu në Gjermani, si ju duk vendi i huaj? -Jo biro, nuk po ulem, mjaft qëndrova ulur, po rri pak këmbë. Isha tek
motra, vetëm ajo më ka mbetur në familje dhe kjo vajza, vetëm kjo më ka
mbetur nga lufta, biro duke u solidarizuar me të ngaqë i kish treguar e bija
se kishte mbetur i vetëm gjatë luftës së fundit.. –dhe vazhdonte t’ia
përkëdhelte Donës dorën tek e cila mbahej
-Po oj tete, ti bile paske një vajzë, ndërsa unë nuk e kam askënd, të gjithë
mi kanë vrarë në luftë. -filloi të rrëfejë ai edhe një here se si shkjau i kishte
mbledhur burrat dhe djemtë e fshatit dhe i kishin pushkatuar, ku në mesin
e tyre kishte qenë edhe vetë ai që atëherë kishte pasur vetëm tetë vjet,
ndërsa kishte mbetur i plagosur nën trupat e babait dhe axhës së tij të vrarë
dhe se për tu shëruar si fëmijë kishtë dalë në Gjermani me ndihmën e
ushtarëve të UÇK-së përmes Shqipërisë si refugjat dhe prej atëherë nuk
kishte qenë në Kosovë për shkak të nevojës për t u shëruar, humbjes se
familjes dhe shkollimit që e kish kryer.
Në anën tjetër, Donës i humbte durimi dhe duke e ndërprerë bisedën e tij,
iu drejtua edhe njëherë me zë të qartë duke e pyetur në mënyrë që ta
dëgjojë edhe nëna, ngase më nuk kish besim në vetvete.
- O zotëri, na trego edhe njëherë se kush je ti, nga cili vend vjen, i kujt je,?
- Oj zonjë apo zonjushë, të tregova se jam nga Reçaku, djali i Faik Rexhës.
Nuk kam as nënë as baba, as motër e as vëlla. Por ç’janë këto pyetje që
po më drejtohesh ashtu! Dajtë i kam në Mollopolc,-dhe shikonte Donën
në sy ngase sapo ia kishte treguar asaj këto që prap duhej t ia përsëriste.
-O bir, edhe ne jemi te Rexhajve, pa hiqe kapelën të lutem veq pak ti prek
flokët, -iu lut Drita duke e quar dorën e saj tek koka e tij akoma pa e
hequr atë.
Sapo preku flokët e tij në majë të kokës Drita menjëherë i gjeti dy dredhat
apo qendrat e flokëve të tij, e që të gjithë këmi vetëm nga një qendër apo dredhë të flokëve e rrallë kush i ka dy, ku pa asnjë leje nga ai ajo filloi t’i
pudhë e t’i përkëdhelë ato mu sikur të ishte fëmijë, mu sikur e kishte pasur
sa kishte qenë vogël.
Dritoni nuk kuptonte asgjë nga veprimi i Dritës, por i hutuar vetëm sa vinte
e shtangej, ndërsa Drita vazhdonte e papenguar t’ia puthte edhe fytyrën
edhe sytë edhe duart, sepse edhe ai ishte shtangur dhe nuk mundte të
kundërshtonte nga pafuçia e tij edhe po të donte ai. Dritës nuk i vinte edhe
aq çudi për veprimet e veta, ngase kushedi saherë i kishte bërë të njëjtat
veprime me të, por vetëm në ëndërr dhe për të vetëm përsëritej veprimi
dhe nuk e mendonte më se ishte në ëndërr apo në realitet.
Dona tashmë e kishte kaluar fazën e emocioneve që tashmë i kishte e ëma
dhe mund ta marrte situatën nën kontrollë duke e ditur se dikush duhej të
kontrollonte këtë situate dhe si më e fuçishme që ishte, i drejtohet Dritonit
për t’a kthellur dhe për t’i treguar atë që nënë e bijë e mendonin.
- O Toni, nëna është, nëna jonë Drita, unë jam Dona, ne jemi gjallë, nuk na
kanë vrarë, e sheh, jemi gjallë.- e kapi Dritonin për qafe duke u kujdesur
njëkohësisht për nënën se mos po alivanoset dhe shpejt nxorri nga çanta e
saj e krahut një varëse të bylyzykut të dorës, të cilën Dritoni ia kishte
thurrur asaj me toja najloni me ngjyrat bardhë e kuq paksa të zbardhura
nga koha, të cilat i kishin mbetur pasi kishin lidhur duajt e tallës së misrit
vjeshtën e fundit të tyre të përbashkët në fshat dhe se ajo e ruante me
kujdesin më të madh si të ishte më shumë se çdo diamant i botës. Ndërsa
Dritoni i bindur në ato që dëgjinte menjëherë në gjermanisht i tregoi nuses
së tij që ishte edhe ajo e hutuar nga pamjet që shihte se kjo ishte nëna dhe
motra e tij, ndërsa nusja u ngrit në këmbë, i uroi e i përqafoi të tre duke i
përgëzuar, ndërsa Doni i vogël pothuajse nuk vërehej fare, ngaqë ishte
hutuar duke shikuar tek vinin pasagjerë të tjerë dhe holli sa vinte e
mbushej me njerëz. -Oj nëno, e gjetëm Tonin që e kemi qarë që njëxetë vjet. E gjetëm Tonin
që e kemi kërkuar të vdekur që njëzetë vjet dhe e gjetëm të gjallë. E
humbëm Tonin nëKosovë, e e gjetëm në Gjermani. O Zot, të falemi, o Zot.
Drita nuk mundte të nxirrte asnjë zë nga goja, ndërsa lotët filluan t’i
dalin nga sytë që kohëve të fundit ishin shterruar. Ajo nuk largohej nga
përqafimet e Dritonit nga drita e syve të saj, e as Dritoni nuk e lëshonte atë
duke i puthur duart. Për disa minuta asnjëri nga të tre nuk mundi të flasë
asgjë duke u çmallur mes lotësh, ndërsa nga afër nusja e Tonit regjistronte
me celularin pamjet që as që i kishte menduar ndonjëherë dhe e ndjente
edhe ajo gëzimin e këtij bashkimi që Toni si fëmijë i kishte treguar asaj dhe
si fëmijë ajo e dinte historinë e djalit të vogël që tashmë e kishte burrë dhe
kishin edhe fëmijë.
Nganjëherë Dona si e çmendur thërriste me zë për t’u çliruar nga brendia
pa e kontrolluar veten dhe duke dashur t’i tregojë botës së e gjetën Tonin
e tyre.
Kështë, ata vazhduan gjatë here duke qarë, herë duke qeshur, herë duke u
përqafuar e herë duke bërtitur nga gëzimi, ndërsa rreth e rrotull shumë
nga udhëtarët që kishin ardhur aty për t’a pritur udhëtimin bënin video
incizimet si rast i rrallë, të cilin edhe u’a sqaronte gjermanja dhe pak kush
i mbante emocionet pa qarë edhepse nuk e njihnin asnjërin nga të
përqafuarit.
Andaj, edhe valixhet e tyre tashmë gjermanja i kishte bashkuar dhe
kishte rregulluar që ulëset e tyre në autobus të jenë sa më afër njëra tjetrës.
Drita me Dritonin dhe Liridonën tashmë mbaheshin për dorë, ndërsa
Liridoni i vogël nuk I shkoqitej Donës nga qafa edhepse nuk e dinte që ishte
halla e tij, por shoqja qe e kishte gjetur në stacion të autobusave. Duke u
futur në autobus, edhe njëhere Toni –Driton Kosova lëshoi edhe një zë të lartë duke ngritur kokën lart sa holli jehoi aq shumë, saqë të gjithë kthyen
kokën kah ai
-Po shkoj në Kosovën time të lirë dhe me familjen që gjeta, ooo popull. –
Kështu, si të ishin ndonjë familje mbretërore kah ecnin ata, turma ndahej
në dysh për t’ua lëshuar rrugën e të ecin lirshëm drejt autobusit dhe secili
i uronte e i përgëzonte për këtë bashkim të papritur të familjes e cila ishte
ndarë në luftë para njëzetë vitesh.