>
LETERSISHQIP

Nëse Mendon

Dhe nëse mendon se një ditë ndoshta,
E vërteta do të mbulohet bashkë me ty
Nuk e di nëse do bindesh po të thosha,
Ajo s’vdes, por përjetësisht mbetet aty.

Nëse mendon se ajo do tretet papritur,
Si vesa mëngjesi, a si ëndërr e trishtë.
Ajo del përpara teje si një yll i ndritur,
Si një lot, a si një dhimbje, ku ta dish.

Nëse mendon se e ke lënë, në harresë,
Dhe shpëtove në fund nga makthi i saj.
E vërteta të del para teje në çdo kthesë,
E ndrojtur ndoshta, por krejt e pa faj.

Aq sa mundet të fshihet një pikëz shiu,
A dielli i pastër kur shkëlqen në shkrepa.
Aq sa mund të fsheh dhe veten e tij njeriu,
Po aq mund të fshihet prej nesh e vërteta.