>
LETERSISHQIP
Iliriana Sulkuqi

Gishtrinjtë E Mi...

Një gjethe që ngjethet – Zarf i pahapur…
Njëherë e një kohë,
gishtrinjtë e mi kacavirreshin
nëpër degët e pemëfrutave
që arrinin deri mbi çatinë
e shtëpisë së fëmijërisë sime..
Një herë e një kohë,
pak më pas,
lëshonin tinguj pianoforteje -
edhe pse të brejtura nga finja e rrobave,
të lara një natë më parë se të rritesha...
(dhe nuk u ankuan )...
...
Gishtrinjtë e mi - pas e më pas
përkëdhelën dashuri
nëpër romane të ndaluara…-
Edhe pse me pigmente largimesh
në hapa jete -
nuk u ankuan…

Gishtrinjtë e mi,
përsëri me tinguj galaktike,
lëvizën të më bënin nënë,
më parë se grua...
... nën ritmin e tyre të shpirtit,
përkëdhelën pelena të sapolindurish...
dhe paksa vargje të mardhura…-
nuk u ankuan…...

… dhe shkundën e shtrydhën,
gishtrinjtë e mi ullinj,
nëpër korafe (ullishta) të harruara,
(se edhe ata që i mbollën atje,
në të tjera ëndrra të mërguara…
kishin fluturuar…).

Më dhembin gishtrinjtë -
deri në palcë të dashuri - dhimbjes.
A do më binden vallë
të lakoj përreth trupit,
botën, me dashuritë që më linden?...