>
LETERSISHQIP
Iliriana Sulkuqi

Sot Pagëzova Dashurinë

               -EKLIPS-
(…pasi  thura e çthura, si Penelopa, Pritjen e vegimtë…)

Duke të pritur Ty - Dashuri,
Mblodha copëzat e ëndrrave
shpërndarë kuturu
nëpër galaktika  hyjnore…,
ku dhimbjet, përtej vdekjes,
ishin bërë mikesha
nga britmat, gulçimet
nga lutjet,   heshtjet…
I mblodha me gishtrinj që dridheshin,
mos më  thërmohej ndonjera…
Hoje më hoje u kalova një fill,
si qendismat e vajzërisë
(kur mësova se nga kryqet
të qendisej jeta…) ;
i mbështolla të gjitha me rizën e një reje
që më përshëndeste në kalim…

Duke të pritur Ty -
Fillova t’i end  si një te vetme
Për t’u bërë FILLIM.

Duke të pritur Ty –
Onufrit iu flakëruan ngjyrat…
Lutjet te Zoti -  më të vërteta…
Muhameti e « grisi » rrjetën e merimangës
pa frikë nga vdekja …

Duke të pritur  Ty -
Dielli papritur u lind natën.
Çmendurisht, si në  Eklips,
u puth me Hënën…

Duke të pritur  Ty –
Oqeani përqafoi Detin
dhe m’u bënë URËKALIM për shpirtin…

Për të të pritur  Ty -
thura e çthurra,
  si Penelopa,
ardhjen e  vegimtë…
Kur u zgjova nga ëndrra –
  të PAGËZOVA
me Emrin tim.

Iliriana- Sot e përgjithmonë