>
LETERSISHQIP
Jorgo Telo

Aromat E Vendlindjes

Lirikë e përpunuar
Më hyjnë në shpirt aromat e oborrit
nga rrushi i pjekur
rrush i fundshtatorit.

Më vijnë së toku aromat e mesfshatit
Prej arrës si tëndë
dhe luleve të mjaltit

Dhe zbresin aromat, vijnë lart prej rrëzës
Prej çajit, prej cfakës
edhe prej dëllënjës…

Si rendin aromat, vijnë prej shpatmalit
Janë aroma bari,
dhe aroma stani…

Vrulltas vijnë aromat edhe prej shtëpisë
Më sjellin gjithçka
prej fëmijërisë…

Aroma lodrash më vijnë dhe prej Rripës
Vijnë me vrull jete,
dhe zëra zbavitës…

Më vijnë shpesh aroma, vijnë dhe prej lumit
Si nga luspa peshqish,
dhe pupla pëllumbi…

Më mblidhen aroma nga bashkëkrahinas
Dhe janë lloje – lloje
si lule lëndinash…!

Ja, aromat shtohen, vijnë dhe nga nëntoka
Vijnë me zëra eshtrash,
dhe mbresash të forta…

Dhe gjithë aromat që më sjell çdo stinë
I ruaj në shpirt;
Mirë se të vijnë…!

Në kuvend të shtruar Katali me Bisejin,
E diç thonë mes tyre
Sheperi me Zhejin…

Pllaja e Çajupit i bën zë Torrishtës:
"Jemi roje "djepi"
të natës e ditës."

Lumi i flet kodrës, fusha i flet malit
I flet Ilia Dilo
Prof. Filip Shabanit.

Duket sikur hedhin valle gurgulluese
Gurrat edhe krojet
Krejt ujërat kuruese…

Me zë degësh, gjethesh mes rrepesh e lisave
seç hyn në kuvend
zëri i qiparizave…

Mbahet si i moçëm Lisi i Shëntodhërit
Hedh vështrimin larg
Kodrës së Sinorit…

Poet Andon Zakua sa herë ka zbritur
enkas nga Parajsa
prej mallit – zhuritur.

Nga Zheji në Ndëran shushurinn lajthishtja
I mban iso këngës,
që ndez zagoritçja…!

Koncka dhe Topova ashtu gju më gju
Mbajnë miqësinë
kështu dhe ashtu…

I hedh syt’ "Gjurmwmushka" qafws sw Çajupit
Kujton Kiço Vlashin
ndaj Kapllan makutit…

Bëri mik Hilë Dede Ali Tepelenën
Veziri mirënjohjen
e shprehu gjithëherë…

Flet me zë të lartë shkolla e Manastirit
dhe mullinjt’ e blojes,
urat e Vezirit…

Dhe kishat e moçme, të heshtura s’mbeten.
bien në kujtime,
çoç flasin me vete…

Thellësive Bambulli me një zë buçitës
i nis një mesazh
Remës së Doshnicës:

"A do munden vlerat e krejt Zagorisë
Zërat dhe aromat
T’mblidhemi një ditë?"
Gjirokastër, mars 2011