>
LETERSISHQIP
Lasgush Poradeci

Dëgjimi I Zemrës

Kur të më kujtosh,
Kur të vish të shkosh,
Kur të shkosh këtejza pranë
Që të çmallërosh

Ç’po dëgjon kur shkon?
Kur vjen e përgjon?
Ç’përgjon zemra në kët’anë
Fund në këtë hon?

Zemra jote sot,
Zemra jote mot,
sot e mot në ç’mallërime
Zemra që s’fle dot

Seç të ndjen këtaj,
Seç të ndjen pastaj,
Seç dëgjon ndaj vetes s’ime
(Si ndaj vet’e saj):

Mall e vrer që mbaj
Qaj, moj zemër, qaj.

Vrer e mall që flas
Plas, moj zemër, plas.