>
LETERSISHQIP
Lutfi Coka

Në Këtë Botë Moderne

Në këtë botë tinëzare
Vetëm unë e ti

nuk kemi vend,

Luajnë e qeshin

klounët e dreqit,
Dhe çdo gjë

e bëjnë përshesh.

Përshesh sinqeritetin,
Turli moralin,
Turshi ndershmërinë,
Kurorë dafinash

hipokrizinë,
Piedestal tradhtinë,
Medalje të artë

gënjeshtrën.

E ne mendohemi

se kë të marrim,
Të marrim

njërën apo tjetrën.

Nga prapa

si pullë poste,
na e ngjitin

dashamirësit e dashur.
Mendohu,
Mendohu,
Se mjekra
përtokë

do të të bjerë!...
I vetëm

si askush do të mbetesh.
Në ishullin tënd,
Ku gjarpërinjtë
Me gjuhë

kërkojnë të të lëpijnë.

O njeri, vetmitar,
çohu dhe bashkohu,
Ec dhe rrëzo

litarët e arsyes,
që lidhin

mosarsyen e ndërgjegjes.
E atëherë

do të jesh,
Burri zjarrdurues.