>
LETERSISHQIP
Merxhan Avdyli

Takimi Me Zeusin

Kurrë s’kam besuar në pavdekësinë e Zeusit
Dhe kurrë mendja nuk më ka shkruar
Se do të takohem një ditë me të
Jo në rrethin e nëntë të ferrit të Dante Aligerit,
Por në katin e dytë të Muzeut të Luvrit në Paris
Në Francën e Maksimilian Robespierit.

Ishte një takim i pritur me mija vite
Që ndodhi në një dhjetor të ftohë
Brenda ngrohtësisë së Muzeut të Luvrit
Vetëm disa metra larg portretit të Mona Lizës
E cila shpërndante buzëqeshjen e saj enigmatike
Dhe i shikonte të gjithë vizitorët përnjëherë.

Po e pashë Zeusin, me vetëtimën e tij të fikur në dorë
Nuk ishte i zi, siç e kam paramenduar, por i bardhë
I mermertë dhe i lodhur dhe i kapitur nga vdekja
Më i ftohtë se ditët e dhjetorit në Paris, akull krejt
I vetëm, pa Rean dhe pa Kronin, pa asnjë motër, pa asnjë vëlla
Pa asnjë grua të pavdekshme, as vdekatare, pa asnjë fëmijë
E unë vetëm e vështroja dhe qeshja me fatin e tij.

I bëra disa fotografi me të, por ai rrinte pa lëvizur
E unë e paramendoja në maje të Olimpit duke bërtitur
Por ai tash nuk fliste, shikonte më sy të mermertë dhe heshtte
Dukej i rënduar, sepse me shekuj s’kishte marrë asnjë veprim
Dhe u desh të ndahemi, sepse nuk pushonte celulari im
Me thirrjet dhe mesazhet nga Kosova, nga Prishtina, nga Sadovina
“Zemër si je, si po kalon”, “Babi, pse shkove pa mua në Paris”,
“Gjysh, a ish Parisi si Peja”; “Ku je o shoq”,
“Qysh je o bac.., “Alo o profë...“; Alo Merxhan...”
Dhe kur me fjalët e tyre shpirti plot m’u mbush,
U binda se shumë më mirë sesa Zeus në Olimp
Është të jesh: Merxhan në Gilbush…