>
LETERSISHQIP

Fatkeqë Për Vete…

Lamë vreshtat plot musht dhe pyjet plot gjelbërim,
Lamë ajrin kristal dhe krojet plot magji,
U lëshuam drejt qytetit si turmë në tërbim,
Lamë kullat të shkreta ngarkuar me histori.

Lamë pllajat e vetmuara me lule gjithçfarë,
I lamë të thaheshin pa gazin e fëmijëve,
Lamë pemët rrezëllitëse me frutat varë,
Nën trishtimin e vetmisë dhe zbehjen e shijeve.

Qytetet u zhbënë, mbingarkuar si anije,
Rrugët u shkërmoqën, ëndrrat u shkatërruan.
Lamë jetën të venitej në të bukurat pyje,
Dhe u dergjem qytetërimit, gladiatorë të kryqëzuar.

Disa u bënë me vila e vetura,
Disa në mjerim, ndihmë kërkojnë,
Disa u strehuan rrejshëm nën ura,
Dhe me dhimbje, bjeshkët kujtojnë.

Disa si turistë në vendlindje shkojnë,
Të hanë ndonjë drekë në lokalet e rralla,
Të mbushen me ajër, krojet t’i shijojnë,
Të qetësojnë mendjen, mbushur me andrralla.

Kullat janë veshur tashmë me trishtim,
Muret kanë rënë, pyjet janë “vrarë”,
Harruam se jeta bio është qytetërim,
Dhe jo asfaltet dhe turmat pa ajër.

Në malësi i vilnim frutat nga pema
Dhe ujin e merrnim kristal nga burimi,
Kurse në qytet blejmë fara dhe gështenja,
Dhe fruta trotuareve plot pluhur “qytetërimi”.

Ujin e pijmë në shishe plastike,
Dhe kafen e marrim lokaleve pa ujë,
Ne jemi ai populli gjithmonë në ikje,
Fatkeq për vete, e mira e gjithkuj…

Më shumë nga Ndue Dragusha