>
LETERSISHQIP
Nehat Jahiu

U Rritshi

U rritshi, o të dashur fëmijë,
duke vrapuar nëpër livadhe,
së bashku me qengjat e fluturat,
të gëzuar, pa brenga e halle.

U rritshi, o vocërrakët e mi,
nga një pëllëmbë për çdo ditë,
e këndofshi së bashku me zogjtë,
trupin e njomë duke rritë.

U rritshi në gjirin e nënës,
me përrallat që ua mësojnë,
me ëndrrat e bukura fëmijërore,
që në mëngjes t’lumtur ju zgjojnë

U rritshi me rrezet e arta të diellit,
kur n’agim ua puthin faqet e njoma,
U rritshi, gjithmonë të buzëqeshur,
faqekuqtë, mu porsi molla!