>
LETERSISHQIP
Nora Prekazi

Imëtsira

I dua momentet e avullta,
andrrat e mjegullta, nganjëherë…
Mendimet që s’janë tërësisht të definuara
dëshirat që mbesin kryesisht pezull
ndjenjat që s’i kuptoj, ndonjëherë…

I dua muzgët me mjegull
realitetin e vagët
silljet e gjata me këmbë nën tokë
botën në lëvizje
rrotullimet në rreth me kerr
parkun me lodra
balerinën me fustanin, qëndrimin, e buzqeshjen stoike
adrenalinën nga rrotullimi e nga frika e vjetërsisë së saj.

I dua çastet e jetës nën ujë
magjinë e shkurtër të jetës pa thithë ajër
përqafimet e shtrënguara fort
ndjenjën kur dritat shndërrohen në vizllima
momentet kur jam n’gjah me kuptua
kur rrallë herë gjithçka bëhet e bukur
atëherë kur gjithçka merr shije
e kur qenja ime tokësore bie poshtë nga deliri i rrallë
i dehjes prej dashurisë ndaj jetës.