>
LETERSISHQIP
Oriada Dajko

Nё Valixhe Tashmё Edhe Zemra

Nё vendin tim shpesh ёshtё besuar
se kur lindim e nesёrmja na shkruhet nё duar,
e nesërmja ёshtё nё ne
vetёm pret ditёn e duhur pёr tё shkuar.
Ndaj kështu i kishin thёnё qysh fёmijё
se ka shumё gjёra qё njё vajzё
mund t’ia lejojё vetes tё mos t’i dijё
pёrpos se vajzat janё krijuar pёr tё shkuar
dhe e nesёrmja
nuk mund t’i gjejё veçse gati pёr t’u larguar.
Prandaj tё nesёrmet, ajo filloi t’i thurrte vetё me duar
dhe më pas t’i vendoste palë palë në valixhen e saj.
Gjatё gjithё jetёs, ajo priti pёr tё nesёrmen
edhe kur u nesërmja shumё u vonua,
edhe kur i thonin se nё vijat e dorёs tё saj
e nesёrmja ende nuk qe shkruar.
(Dhe kushedi sa herё tё nesёrmen
nё dorё tё qiellit e la!)
***
Kaluan vitet dhe pajёn
filloi ta dhuronte nji mё nji
derisa kur erdhi “çasti”,
afёr tё gjashtёdhjetave,
nё valixhen e saj tё vjetёr
i kishte mbetur vetёm zemra.