>
LETERSISHQIP

Puthja E Lypsarit

Puthmë, puthmë... lermë të të puth!
Nuk kam puthur kurrë
një grua kaq të bukur.

O Zot... çfarë po ndodh
nuk paskam vdekur?
Po ndiej të puth një grua, lërmë të lutem,
i lumtur të ndjehet një lypsar.

Në dorë mbante një shishe uiski
që përkëdhelej andej-këndej,
fliste fjalë të bukura për gruan,
kërcente, recitonte,
vargje nga i dehuri... Heminguej
me vështrimet e shpirtit, përkëdhelte trupin tim
vazhdonte të hapte krahët, si meridian
dhe lutej... eja me mua,
mbështetu në përqafimin tim,
Ju s’e dini sa të lumtur
do bëni një lypsar si unë
do dua të rroj shumë,
do rroj vetëm për ty, do lutem, për ty.

Tërë jetën… në netët e mia
të akullta, nga të ftohtit mbi sy
shoh vetëm një ëndërr... sikur puth një grua,
ja... kështu si ty,
me këtë fustan plot lule dhe sytë kaq të kaltër
si e kaltra e luleve, që buisin
...e mbaj mend
dhe këtë mëndafsh që prek lëkurën tënde
të lutem, lërmë të të puth, lermë të të gjej
ty... që nuk di akoma në të kam gjetur!

Dhe vazhdonte të humbte në kërcim
me përplasjet e fuqishme, të thembrës në tokë,
u ngjanin puthjeve prej malli, obsesive
të përsosura, nga buzë të tendosura.

Hapa derën... hyra në shtëpi pa zhurmë,
kisha frikë mos trembja lutjet, kërcimin
mos shurdhoja zërin e tij të bukur

Kam qarë dhe kam kërcyer
në dyshemenë e dhomës,
jashtë e nxora ajrin, gjithë puthjet e mia
dhe jetën time e zbraza nga çdo orendi,
kërceva dhe qava, recitova po aq e dehur... si ai.

...ishte tronditur kujtesa ime
mbi fytyrë vizatoja hije dëshirash... humbjesh
jetë të dhuruara keq... dështime lëvizjesh
ndjeva se isha kthyer, nga një funeral
ku nuk kisha shkuar, për të vdekurin,
por për të lindurin nga vdekja... si detaj.

I mbylla sytë... dhe ai ende
në atë errësirë të trishtë nate, më lutej:
“Lërmë, lërmë, të të puth!"