>
LETERSISHQIP
Shqipe Bytyqi

Ç'demon Ulërin N'të?!

Sërish ai
ngrit dorëzezën mbi të,
sërish u gjet një shkas i pashkas
nga dashuria gjer tek urrejtja
nga besnikëria gjer te tradhëtia
t’shumtën, një hiç i hiçit
një moment, keq i mbërthyer kobi

Dhe një ditë t’paditë
sërish del ai nga vetja
sërish gjindet një mjet morti
duar të zbrazëta… shpeshi
apo dreq gjësend kobi
aso, që as mendja e Dantes, s’din t’pjellë

Dhe, sërish
rishfaqet një vendngjarje
shtëpi, punë
udhë t’mëdha bote, mbase
shtrat gjumi a dashurie
kuzhinë, mund t’ishte
e ndoshta, me duar n’bukë mrume
ishte ajo

Sërish, i zënë peng n’egon e llojit vet
ngjallet n’të demoni!
Sërish, n’mejdan t’pabarabartë muskujsh
shuhet një jetë!
Sërish, ai dybrirësh, rrahagjoks
me fytyrë e doke t‘’zakonshme
n’kërkim t’burrërisë së paqenë
vret e shuan jetë

Sërish e sërish
flijohet ajo
n’Panteonin mizogjin
aty ku më pas, jetërat rigojnë gjak…
Vallë, ç’demon ulurin n’të?!