>
LETERSISHQIP
Shqipe Bytyqi

Pazar Shpirtërash

T'pashë
nën çekanin e topitur t’ankandit,
ai goditi
dhe ti ndërrove Zot
e unë
me thonj gërrmoj
së koti kërkoj
vlera që s’nxirren n’pazar

Na paskan gënjyer,
çdo gjë paska një çmim
e tëra nxirret n’pazar
e ai botën han…
Sa kushton suksesi?
A blihet dashuria?
Sa peshon njerëzia?

Sfilata kukullash ditore
luftë brrylash t’zhugavt
fisniku çdo ditë shkrihet e përhumbet
troll që prodhon t’pështirën
skenë që ngrit jovlerën
dhe çekani godet…

Engjëj me krahë t’leckosur
ikin qiejve nxirë nga smira,
djaj me pamje njeriu
bëjnë bilancin,
tejkalohen pritjet
apokalipsi dhe parajsa
n’rrugën e qumshtit sillen e pshtillen
dielli lind i përçudë
i përgjakur…

Shpirtin ma tërheqin zvarrë
aty n’ankand
t’sfilitet
e t’shitet

Sa dua t’ngritet n’qiell ai
para se çekani t’bjerë!