>
LETERSISHQIP

E Dashur

Më jep duart e tua, të mbaj jetën time
Të gjeja, e dashur…
Në buzëqeshjen e gjithë njerëzve, të nesërm

Sepse, para se të hysh në jetën time
kishe jetuar shumë, brenda ëndrrave të mia, e dashur.
Pastaj vinte shiu.

Por shkruaja, në të gjitha xhamat e veshur, emrin tënd
dhe kështu, kishte kthjelltësi oda jonë

Mbaja duart e tu
dhe jeta, kish kështu… dhe qiell dhe besim.

Flokët e tu, janë të zinj, si vet nata
në gojën tënde frymon, e gjithë pranvera

Të gjitha, në botë, mund të bëheshin e dashur
aherë, që më buzëqeshje

Në më të hidhurin çast, pranë teje
jetova jetën, e tërë.

Dije, të jepeshe, e dashur.

Jepeshe e tëra
dhe nuk mbaje për veten
veç shqetësimit, nëse ishe dhënë e tëra.
Do të rigjindemi një ditë.

Dhe aherë, të gjitha netët, të gjitha këngët,
tonat do të jenë.

Do të desha të bërtas, emrin tënd
e dashur, me të gjithë fuqinë time

T’a bërtas, kaq fort,
sa të mos mos flejë më, asnjë ëndërr në botë
asnjë shpresë, më, të mos vdesë.

Po, e dashur, shumë më parë se t’ju takoj,
unë ju prisja. Përherë të kam pritur…

Dhe kur u gjendëm për herë të parë – mban mend –
më ndeve duart, kaq brishtësisht,
a thua, se më njihje prej vitesh.

Po… sigurisht
më njihje. Se para, se në jetën time të hysh
kishe jetuar gjatë, në ëndrrat e mia,
e dashur…

E dashur, të detyrohem diç më shumë nga dashuria,
të detyrohem këngën edhe shpresën, lotët
dhe rishtaz shpresën.

Në çastin më të vogël, pranë teje, jetova të gjithë jetën.
Do të desha, të bërtas emrin tënd, e dashur, me sa kam,
fuqi.

T’a dëgjojnë muratorët në skela
dhe të puthen me diellin

t’a mësojnë në anije ujëngrohësit
dhe të inspirojnë, arromë trëndafilash

t’a dëgjojë pranvera dhe të vijë më shpejt
t’a mësojnë fëmijët, të mos i trembë errëtia

t’a thonë kallamat, anës lumenjve
trigonat përmbi gjerdhe…

T’a bërtas, kaq fort,
sa të mos mos flejë më, asnjë ëndërr në botë
asnjë shpresë, më, të mos vdesë.

T’a dëgjojë koha dhe mos t’ju cikë, e dashur, kurrë.

Brenda dashurisë sonë, një lastar i brishtë jeton
një harabel
një harmonikë…

Mirmëngjes gjitoni…
ja aty, e dashur, në atë qoshkë
shiko, po vjen pranvera

shiko këta trimoshë, që korrin me draprinj
dhe vashëzat mbas tyre, që duajsh lidhin rrezet
e diellit
shihi, na salutojnë. Gjithë na përshëndesin. Mirmëngjes.

Mirmëngjes të afërtit dhe të largëtit vëllezër.
Ejani t’ju njoh, të dashurën time
Më thoni… nuk është e bukur?

Si jetën edhe këngën, vëllezër, e dua.
Edhe më shumë.

Mirmëngjes qiell, mirmëngjes diell, mirmëngjesi Pranverë!
Ejani pra, t’ju njoh të dashurën time.
Mirmëngjes, lumturi!

Shqipëroi: Vasil Çuklla

Më shumë nga Tasos Livadhitis