>
LETERSISHQIP

Fletë Kalendari

Askush nuk di se ç’do të ndodhë nesër,
siç nuk mësoi askush çfarë ndodhi dje,
vitet e mia humbën andej këtej, në dhoma, në trena,
në ëndrra,
por ndonjëherë zëri i një gruaje kur bie mbrëmja ngjan
me lamtumirën e një moshe që iku
dhe ditët që mangët ke, o Shkurt, mbase do të na jepen
në parajsë –
koleksionoj hotelet e vogla ku shpërndava psherëtimat
në të ritë e mi
derisa në fund askush nuk shpëton, por dhe nëse, ku të shkojë?
Dhe dashuria është marrëzia jonë përballë pamundësisë për të njohur
njëri tjetrin –

Zot, u tregove i padrejtë me poetët duke u dhënë vetëm një botë,
Dhe kur të vdes do të desha të më mbulojnë me një grumbull fletësh
kalendari
që të marr me vete edhe kohën.
Dhe ndoshta, ç’të mbetet prej nesh, të jetë ndanë rrugës sonë
një lule e vogël mosmëharro.

SHQIPËROI: JANI©MALO

Më shumë nga Tasos Livadhitis