>
LETERSISHQIP

Burgosje

Sot më në fund do ta lë derën hapur
dhe do ta lë veten të befasohet nga pafundësia e fjalës;
atë fjalë që donit ta linit të çlirët
kur faji dhe frika ju meku zërin.

Sot do ta lë shtëpinë hapur
të mund ta ndjej trokitjen e dorës tënde lypse;
ndoshta thjeshtësinë e dashurisë së ndershme.

Sot më në fund
do ta hap shpirtin
për të parë të derdhet
drita e lëbyrur e pikëllimit tim
duke lundruar në albumin me shëmbëllime të zbehta
në hapat e tua këmbëngulëse që nuk lënë gjurmë.

Sepse kjo është dashuria ime;
plaga prej të cilës mezi të vështroj ty
dhe gjaku im të ndjek
dhe dhimbja ime nuk do të pushojë.

Më në fund do të jetoj e lirë
për të parë atë puthje
të vjedhur në një natë vjeshte
rrokullisur mbi çdo pore të flashkët.

Dhe mandej do të vijë burgimi
dhe lëkura ime do të shndërrohet në mur
mbi të cilën do të shkruash me thonj
emrin tënd.
Përzgjodhi dhe përktheu Dashamir Malo