>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Balade Per Fqinjen Came

Çamërisë i rashë përmes:
Nga kalova nuk pash trina.
Pash ngado lule me vesë
Dhe qiell plumb përmbi kodrina.
Joni blu me qiellin qepur :
Fije ari - vetëtima!
Lotë hëne - prapa ndjekur!
Këngë uji - shkrepëtima!…

Këmbë njeriu nuk kish mbetur.
Vetëm loti s’qenkësh tretur !?...

M’u kujtua, qesh fëmijë,
Kur na erdhi fqinjë një grua.
E tërë lagjja me habi
Syt’ e saj ngjanin një krua.
Një birucë i dhanë në kodër,
Nëna ime iu bë motër.
Qante vëllezër e kunetër
Dhe fëmijtë vrarë përmbi shtretër.

Sytë blu si Joni i mekur,
Flokët një gërshet të zi.
Ndrinte, ndonëse ishte djegur,
Lidhur gjysmë me shami.
Çitjanet si qiell i çjerrur,
Me ca fije ari qepur…
Koh’ e ligë për çdo njeri.
S’morën as dy deg’ ullinj…

Me ne ndenji disa muaj.
Gjersa një vëlla i doli,
S’kish len’ vend pa e kërkuar
Erdhi një ditë dhe e mori.
Që atëhere vite shkuan,
Cila qe, nuk e mësuam.
Por u rrita, jeta rrodhi
Dhe kuptova se si ndodhi.

Ja, një ditë dikush trokiti.
Hapa derën, më habiti.
Ish një djal, i buzëqeshur,
Me lëkurë nga dielli zeshkur.

Syt’ blu si Joni i mekur,
Me këmishë si në vitrina.
Me ca fije ari qepur,
Fije ari- vetëtima.
Qe e lehtë për të kuptuar,
Cili djal na përshëndeti…
Djali i gruas së nderuar…
E kish thirrur amaneti.

Nat’ e gjatë, pambarim…
Parajsa nuk ka vdekatar,
Ka pafund veç një vegim:
Detin blu dhe qiellin ar.
Kanë mbetur dhe plot ullinj.
Nuk kanë gojë por kanë si *.
Dhe ullinjtë jan’ dëshmitarë.
Njëmijë vjet ata s’kanë varr.

• Si - forma dialektore e fjalës sy.