>
LETERSISHQIP

Olsi

Olsi,
Ti punon tek bari i një moteli
Në autostradë, kilometri shtatë.
Çifteve, që nata e gjatë kurrë s’i veli,
Kafen ua çon në dhomë herë posht’, herë lart.

Olsi,
Dukesh se vjen nga një botë ideale,
Kur çelsin dorëzon: Dhoma dy, tre, tetë...
As sytë s’i ngre, i shurdhët ndaj çdo fjale,
Një buzëqeshje të drojtur pas derës e troket.

Olsi,
Ç’paske kështu tërë këtë mëngjes?
Do të flasësh, por asnjë fjalë s’ të del.
Të dridhet dora, kur sjell filxhanin e kafesë.
Pse heshtja jote ngjan aq shumë me këtë motel?

Olsi,
Ti punon. Tërë ditën një mijë lekë,
Ndaj kur të jap bakshish, dorën vë në zemër.
Të shoh, ata që ngjiten lart, shtrembër i ndjek,
Natyrisht, të ndrisin sytë tek cepi, për një femër.

Olsi,
Pse sot të ka rënë tërë ky trishtim?
Vajza që lart u ngjit, mos ishte fqinja?!...
Një shoqe klase, shkolle, mbetur në kujtim,
Mbase shoqëruesi të dukej burrë me thinja?...

Olsi,
Të njoh. Gazetat atë ditë të gjitha ishin shitur,
Në galerinë e thellë ti kishe lënë babanë,
Ndaj malet ke ca vjetë që i ke zbritur,
Me vete more nënën, motrat dhe vëllanë.

Olsi,
Ti punon tek bari i një moteli
Në autostradë, kilometri shtatë.
Çifteve që dita e sotme i perkëdheli,
Pak dritë të drojtur ua çon si një dhuratë.