>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Po U Pame

Ndonjëherë dhe po u pamë,
As shëndet nuk do të themi,
Por mes turmës, siç u ndamë,
Ndoshta lot në sy do t’kemi.

Dhe po e thirra tëndin emër,
Do t’ma hedhësh fshehtë vështrimin.
Do t’bëj "tak" e jotja zemër,
Ndoshta ëndërron dhe kthimin.

Ja, qëlloi, në trotuar...
Ndala frymën dhe të prita
Dhe pa folur, pa u qarë,
Ndoshta sytë i thanë të gjitha.

E po m’ pyete, si po shkoj, …
Do të t’them, s’di të gënjej,
Do t’mundohem të t’harroj,
Veç harresën s’mund ta blej.