>
LETERSISHQIP

Gjithkund Fllad Blu

Shtyhet vjeshta pa kuptuar,
Dimri portën hap kanat’,
Struket ëndrra e mërdhirë,
Zverdhur ethesh, e pafat.

Vërma dorën përmbi zemër.
E dëgjon si rreh nga pak?
Regëtin në muzg të mbrëmjes,
Përpëlitet mbushur gjak.

Hidhmi duart përmbi supe.
A i ndien? Janë bosh.
Boshësi në muzg të mbrëmjes,
Do të tretet tokës s’ftohtë.

Hidhmi sytë përmbi flokë.
I shikon? Argjend janë.
Fijezat në muzg të mbrëmjes,
Do të treten më ngadalë.

Lërma puthjen përmbi ballë,
Buzënxehtën, flladi im.
Pastaj krahët kthe ngadalë,
Kur të shkoj gjumit pa zgjim.

Do të shkoj pa lamtumirë,
Nuk ta them, nuk ta jap dot.
Shpirt e trup jam veç dëshirë,
Zhytur në oazin plot.

Kur të zgjohem kopshtit tim,
Luleve, kur t’u marr erë,
Në aromën kundërmuese,
Ji ti, flladi im pranverë!

Do shijoj freski parajse,
Do prek dorën ledhatare,
Do nuhas blu – flladin tënd,
Që më kthen në yll të zjarrtë.

Do pres natën kur të zbresë,
Kur të fshihen yjtë reve,
Do kërkoj dritaren tënde,
Sytë e tu blu të thellë.

Do nxjerr zemrën kraharorit,
Zjarrin të ta hedh në deje,
Kur t’mbështjell me dritën time,
Në sup hëne do fle qetë.

Nata do të jetë e imja,
Do lundroj tek ti pa fund,
Si dikur në blunë e thellë,
Që shoh sot, që ësht’ gjithkund.

Kur të zgjohesh në mëngjes,
Sytë kur të hapësh fort,
Do ta ndiesh puthjen time,
Po nuk do më shohësh dot.
E hënë 10 janar 2011 ora 20:30