>
LETERSISHQIP
Xhemë Karadaku

E Di Përgjigjen

Dy shtëpi janë përballë
Dallojnë nga madhësia
Sa fort kontrast i rrallë
Habiten krejt njerëzia!

Në pallatin me sa kate
Veshur krejt n’mermer
Jeton një lakuriq nate
Sorollatet e bën tmerr.

S’ia lë mangut një iriq
Me barkun sikur thes:
-Më lini, nuk dua miq!
Kakariset sikur këndes.

Në shtëpinë përdhesë
Ndrisin yje ditë e natë
E trëndafilat plot vesë
Aty kanë rritur shtat...

N’dritare bilbilat rrijnë
E të dehin me melodi,
Mysafirë - dalin e vijnë
Një shtëpi plot gjallëri.

Tash ju pyes miqësisht
Më thuani të vërtetën
Po ju ofruan rastësisht
Ku do ta kalonit jetën?.