>
LETERSISHQIP
Xhemë Karadaku

Në Orë Letrare

Kur lexoj në orë letrare
Nuk shikoj për dritare
Nuk rri me trup në klasë
E mendjen n’maje të Kalasë.
Këtu, para jush kur dal
Zemra më bëhet mal
Po këmbët më dridhen
Figurat nga vargjet hidhen
E bëhen sikur dallëndyshe
Se këtu puna është ndryshe
E them troç pa hezitim
Para jush jam në provim.

I thashë vetes: Kujdes të kesh
Se po e more notën njësh
Do ta varësh sikur kravatë
Do të qesh Shkolla me shamatë
E do ta ngreh veshin gjyshi Latë!
Ta dini, kjo punë po më ngjau
E pat. Lumi i ikjes – më përlau.
Ju betohem sikur burrë
Në orë letrare s’do të vij kurrë!

Notën dysh po e mora
Do të më dridhet dora
Libri do t’më bie në tokë
Do t’më luaj mendja n’kokë
Do ta pyes veten ku gabova
Cilin varg mirë s’e shkrova
Cilën figurë mirë s’e bëra?
Po kjo nuk është e tëra
Do ta ftoj imagjinatën
Ditë do ta bëj krejt natën,
O do ta përmirësoj notën
O do ta përmbys botën…

Po më dhatë ju notën tresh
Do ta var n’vesh si kalavesh
E do të dal një ditë n’mes qyteti
Qindra libra do t’i marr me veti
Do t’i gëlltis mijëra figura
Mes nesh do të ndreq plot ura
Do t’i bëj vargjet si i ka hije
Dhe drejt jush do t’i nis me anije
O i bëj vjershat sikur valë deti
O i them Xhemës – nuk je në veti!

Një gjë ta dini
Nuk dua notë me hatër.
Po më notuat me katër
Mendja nuk më rritet
E di se s’i paskam çuar kot vitet
Se paskam gdhendur ca gurë
Në Kalanë e dijes tek bëhet mur.

Po ma dhatë notën pesë
Më bëni me krahë për besë
Si shqiponjë do të fluturoj qiellit
Do t’i futem në zemër diellit
Dhe pastaj nëpër vite
Do t’ju shpërndaj rreze drite…

Tash ju them miqësisht
Nuk ju flas fjalë me bisht
E dua një notë reale
Po dhe fushat le t’bëhen male!

Veç, sido që më notoni mua
E them pa hile: Fort ju dua!
Prishtinë, 01.06.2023