>
LETERSISHQIP
Alma Braja

Mos U Pikëllo

Nëse erërat janë larguar tashmë nga toka jote.
E pemët,
ato të paktat veshur gjethe,
nuk lëvizin.
Humbën plotësisht erërat.
Ishte një kohë kur flisnin,
ashtu si heshtnin pemët,
kur dëgjonin gjethet të fëshfërisnin.
Tani duhet të mësohesh me heshtje.
Ngadalë,
duhet të presësh erëra të reja të lindin.
Le të qëndrojmë këtu.
Në të shkuarën e ardhme është prehur shpresa.
Dhe në gjumë shikon një të ardhme të shkuar.
Mos u pikëllo që tani po fle.
E në ëndërr e sipër,
ngatërron të nesërmen.
Mos u pikëllo
Fundja me të djeshmen po e ngatërron.
Humbën plotësisht, në të tashmen,
erërat.
Mos u pikëllo!
Do të zgjohet shpresa.