>
LETERSISHQIP

A Keni Parë…!

A keni parë lotë që rrjedhin syve pa shpresë!
Shpirt të lënduar hi mbetur vatrës
Grushtet shtrënguar nën hijet kërrusur
Mendime që udhëtojnë pa ditur ku venë.

Rrugët kryqëzuar si lidhëse këpucësh
Në mes të kryqëzimit s’ di kë të marrësh
Bota e nëmur rendet pa shpresë
Këmbët zvarriten asfaltit çalë çalë.

A keni parë duar që zgjaten drejt qiellit
Që luten, e luten as vetë s’ dinë se ku
Zemra që vyshken si lulet pa vesë
Stomaku të mblidhet e të bëhet gur.

A keni parë buzëqeshje në buzë të një fëmije
Vrapon, rrëzohet, ngrihet e drejt teje vjen
Krahët i hap të rrëmben përqafimit
E bota e pa shpresë të rrëzohet nën këmbë.