>
LETERSISHQIP
Poet Anonim

Politika

Kështu qënkemi gatuar
Duam dikë t’na udhëheq
Edhe zgjedhim të nxituar
Një njeri si ne, për dreq.

I gjejmë vend mbi kokat tona
Fatin tonë e lëmë të marr
Si të vësh dy degë të njoma
Në trung-shprese, që është tharë.

Sa të zgjuar, sa të shkathët
Në gjithësi, të dytë nuk ka
Këtej të majtë andej të djathtët
E ndajmë botën në dy krah’.

Këtej të majtë andej të djathtë
Njerëz janë me të tyret hije
Të ëmbël, të hidhur, kripur-athtë
Të ketë menuja nga çdo shije.

Ka të majtë në fshatin tonë
Por xhepin ama djathtas e duan
Të tuat janë tonat, thonë
Të japin kurrë, nuk e provuan.

Braktisini këto e ndiqni jetën
Mjaftë e latë më kot t’ju ikë
S’mund të gjesh kurrë të vërtetën
Me mashtrues në politikë