>
LETERSISHQIP
Dije Lohaj

Akuarel I Zi

Si një gjethe e vetmuar
E trungut të lashtë,
Gjalluar kërkoj rrënjët nën hijen e tij,
E kush nuk e do dheun e atdheu,
T’i pushojë eshtrat,
Që shekujt i gërryen copë-copë?

E po kush nuk e do gjuhën e nënës,
Ku dora e butë të përkund
Dhe belbëzon ninanana,
Në butësinë e pështjellakut të linjtë,
Endur me lëkurë nëne,
Edhe pse muzgjet lëshonin jargë pushteti
E mordja na sillej mbi kokë,
Tek futnim në gji heroizmat tanë,
Harronim ëndrrat e çakërdisura
Dhe ktheheshim te guri i vatrës
Edhe pse vajet na verbonim,
I fshinim sytë me pëllëmbë të nënës,
Lotin që rridhte si ujëvarë, e pinim,
Për të ngjallur derën e fikur,
Për të ndezur oxhakun e shkretë.

Jo, nuk kishte as ulërimë, as tmerr,
Që të fshinte imazhin tënd,
Se ishte frutë e mendjes,
Që rrënjët i kishte thellë e më thellë,
Që çdo ditë me forcë përtëritej
Dhe krejt shpenguar riprodhonte qelizën tonë….
Të stërmunduar në orët e misterta,
Lebetitej errësira,
Nga pasqyra që zhdukej,
Gërryente edhe melaninë e murrme…