>
LETERSISHQIP
Dije Lohaj

Grafite Të Reja Për Zogjtë, Fjalët Dhe Gurët

Dolën vargje nga hiri i mbetur i stinëve,
Bjeshkëve tua po shtrydh thinjat,
Të pagëzuara me muzat e Shkrelit,
Të betuara në dhiatat e tua.

E mbi barin e kokës sate,
Sapo mbolla një lis,
Shkulur nga bima jote,
Me britma zanoresh,
Të shpërndara tutje nëpër rrënjë,
Si rrufetë e tua nëpër Shkrel,
E gjëmon gjëmën e kukamës sime,
Tek po ta shkrijmë fjalën e gurit,
Shtrydhur lotit përzier me cicërima bilbilash,
Në sqepin e shpendkeqes.

Tek më rrahin valë cunamesh,
Shtrydh dallgën,
Si grafitet e lotit moti në mur,
Bie ai lot si gjëmë mbi nëmë,
E plas bjeshkën,
Ku gjeta Dylin me kromën e armëve,
Në krye të karvanit të bardhë
Tek numëronte plisat pa kokë
E shtrinte jorganin
Mbi zogj, fjalë dhe gurë,
Në pikturën time për ty,
E mbante dorën si strehë,
Të shihte meteorët,
Që vareshin nëpër gjinj të zanave
Maje gurinash të shihte.

Zogjtë tek betoheshin,
Në kokë të tokës,
Në kohë të fjalës,
Në lot e në këngë betohen poetët,
Puthin a pështyjnë.

Më trego ti, kënga prej gurit,
Kush është ai dikush që po i leh fjalës
Ashtu si Martin Boga,
Për zjarrminë e gurrave,
Që gurrojnë qumësht Rozafe,
Për shkurret shterpë,
Që më bëjnë të qaj nga turpi,
Që nuk shkrova gjë për ty
Tek rrënjët m’i freskon hija e lisit tënd,
Që mbolla sot mbi barin e kokës sate.

Kur po ik të plas në plasë të Bjeshkëve të Nëmuna,
Të ik e të plas e të bëhem gur,
Nga frika se nuk po mund të vdes,
Të vdes si më ke këshilluar ti,
Po, mirë e kemi të dy,
Akoma mirë jemi këtu,
Tek po bajramcurremi maleve…