>
LETERSISHQIP

Aq Më Bën

Erdhi koha për të thënë: -Aq më bën!
Aq më bën ç’thonë për mua poshtë e lart
Fundi i fundit ky jam unë, s’jam pa zë
Ku ka zë do ketë dhe zëra dalë nga djaj.

Fundi i fundit edhe unë s’jam një engjëll
As nuk dua kursesi engjëll të jem
Kësaj bote rroj dhe unë përzjerë me njerëz
Nga përzerja dihet mirë çfarë qenie del.

Kjo s’do t’thotë që patjetër jam një djall
Le t’i lëmë djaj e engjëj fantazisë
Dhe realë në jetofshin aty lart
Këtu poshtë zor t’i qasen njerëzisë.

Njerëzia është engjëll, shkuar engjëllit
Eshtë djall, shkuar djallit ajo është
Dhe në qofsha më i miri unë i shembullit
Pa më veshur hije djalli s’do më lënë.

Prandaj prapë e përsëris: -Aq më bën!
Aq më bën se çfarë thotë ai, ajo
Njëmijë herë kësaj bote të rilind
Unë jam unë e nuk mundem tjetërlloj.

Më shumë nga Edmond Shallvari