>
LETERSISHQIP
Esad Mekuli

Mbramja

Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltrën shami,
n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra në borë-
flakron perëndimi...Retë mbi krye prorë
ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi.

...Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë;
cipa e natës shkrihet mbi fushat e përhime,
malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,
si të humbet jeta çdo gja u nxi, u zhduk.

N’ajri ndihen klithmat e natës që ra,
drujt pran rrugës era i përkund...
Ndërsa drita e bardh, e tretun dikund,

shigjeta të flakta mpreh errësinës me i ra.
Terri sundon botën. Katundet e shtrime
në mes të natës prehen n’lugin me andrrime.