>
LETERSISHQIP
Esad Mekuli

Rinisë

Zemrat i mbush me bukurinë e përjetshme t’lumnisë,
me harresë t’këndshme vuejtjet i mbulon…
Hap rrug’t e reja – në ditët e territ e t’zisë –
me ravat e thella t’gëzimit rrëgallat e jetës lavron.
Nëpër shtigje t’reja rrugë shpëtimi i çel,
me ato fuqi që ti njeh për bukuri:
çdo ar’e plleshme nga ti asht mbjellë,
prej kah do t’mbijë fara e re me t’reja brezni.
Fuqia jote jeton me shekuj e rritet gjithmonë,
kthjellohet, gufon, vlon – ky burim gëzimi
i jetës së re! – O, e dashura rinia jonë!…
- n’orët e shekujve ndëgjoj at’far’ kumbimi.
Gërshetohet kënga e përhershme mbi t’madhnueshmen rini
–Ty, që ke le bashkë me këtë jetë!
- O, ti gëzim i vetëm i jetës, o ti lavdi,
para lumnisë sate fort n’habi kam mbetë!